| Chapter 18 |
1 | Në vitin e tretë të Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Ezekia, bir i Ashazit, mbret i Judës.
|
2 | Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abi; ishte bijë e Zakarias.
|
3 | Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, sipas tërë atyre që kishte bërë Davidi, ati i tij.
|
4 | I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.
|
5 | Ai pati besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit; dhe mbas tij, midis tërë mbretërve të Judës, nuk pati asnjë si ai, as edhe midis atyre që kishin qenë para tij.
|
6 | Mbeti i lidhur me Zotin, nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut.
|
7 | Kështu Zoti mbeti pranë tij, dhe atij i dilnin mbarë të gjitha ndërmarrjet e tij. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk iu nënshtrua më;
|
8 | mundi Filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre, nga kulla e rojes deri në qytetin e fortifikuar.
|
9 | Vitin e katërt të mbretit Ezekia, që ishte viti i shtatë i Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi.
|
10 | Dhe pas tre vjetve e pushtoi; vitin e gjashtë të Ezekias, që ishte viti i nëntë i Hoseut, mbretit të Izraelit, Samaria u pushtua me forcë.
|
11 | Mbreti i Asirisë i shpërnguli pastaj Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, dhe në qytetet e Medasve,
|
12 | sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë.
|
13 | Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senasheribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.
|
14 | Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t`i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari.
|
15 | Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit.
|
16 | Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë.
|
17 | Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan
|
18 | Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti.
|
19 | Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t`i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?
|
20 | A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?
|
21 | Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.
|
22 | Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?
|
23 | Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.
|
24 | Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.
|
25 | Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".
|
26 | Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, Shebna dhe Joashi i thanë Rabshakehut: "Të lutem, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, se ne e kuptojmë; por mos na fol në gjuhën hebraike, sepse populli që është mbi muret dëgjon".
|
27 | Por Rabshakehu iu përgjigj atyre në këtë mënyrë: "A më ka dërguar vallë zotëria im t`i them këto gjëra zotërisë sate dhe ty, apo më tepër njerëzve që qëndrojnë mbi muret, të dënuar të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë shurrën e tyre bashkë me ju?".
|
28 | Atëherë Rabshakehu u ngrit dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraishte, duke thënë: "Dëgjoni fjalën e të madhit, mbretit të Asirisë!
|
29 | Kështu thotë mbreti: "Mos u mashtroni nga Ezekia, sepse ai nuk mund t`ju shpëtojë nga duart e mia;
|
30 | të mos ju shtyjë Ezekia të keni besim tek Zoti, duke thënë: Me siguri Zoti do të na çlirojë dhe ky qytet nuk do t`i dorëzohet mbretit të Asirisë".
|
31 | Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: "Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni në duart e mia, kështu secili do të hajë frutat e vreshtit dhe të fikut të tij dhe do të pijë ujin e sternës së tij,
|
32 | deri sa të vijë unë dhe t`ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, një vend që jep grurë dhe verë, një vend që ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj, vaj dhe mjaltë; dhe ju do të jetoni dhe nuk do të vdisni". Mos dëgjoni fjalët e Ezekias, që kërkon t`ju mashtrojë, duke thënë: "Zoti do të na çlirojë".
|
33 | A ka çliruar ndonjë prej perëndive të fiseve vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?
|
34 | Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut? E kanë çliruar ata vallë Samarinë nga duart e mia?
|
35 | Kush midis tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e tij nga duart e mia, që Zoti të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".
|
36 | Por populli heshti dhe nuk u përgjigj as edhe një fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: "Mos i jepni përgjigje".
|
37 | Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek Ezekia me rroba të grisura dhe i referuan fjalët e Rabshekahut.
|